Autor: Skender Mustafi
Reagim ndaj artikullit “SULLTAN MEHMETI I DYTË NË MES TË PRISHTINËS!!!” nga Riza Lahi, botuar tek prishtinapress.info
Artikujt zakonisht duhet të bartin një porosi e cila u hap sytë lexuesve dhe në fund nuk mund të përcjellin tjetër veç pohimit (kuptohet nëse artikulli tillë ngrihet mbi fakte) dhe mësimit që arrijnë nga porosia e cila përcillet nga ai artikull. Artikulli më sipër nuk bart mesazh, por është një koklavitje mes asaj që dua, nuk dua, nuk mundem dhe s’po mund të e them.
Përpilimi i një lidhjeje paralele mes Prishtinës, Gjergj Kastriotit, Sulltan Muratit, Shkodrës dhe në fund Nasirudin Albanit jo vetëm është i pa kuptim, por edhe i rrezikshëm. Nuk jeni ju shqiptari i parë që do të thoshte troç se është musliman, ose se muslimanët duhet të shkojnë në Arabi ose Turqi. Pra, cilëndo që keni ndërmend e thoni troç dhe mos u frikoni.
Ajo që ju koklavitni në këtë artikull jo vetëm që laramanin gjendjen e muslimanëve në trojet tona, por për më tepër ngrit pluhur për punë të pa nevojshme siç është përçarja. Thika juaj me dy tehe tenton që nga njëra anë të shqyej shqiptarët muslimanë dhe të tjerë dhe në anën tjetër muslimanët mes vete. Nëse ju tani keni mësuar se xhamitë mbajnë ato emra, ose se ekzistoka një personalitet shqiptar i njohur ndër muslimanët si dijetar, atëherë unë po ju vë në dijeni se këtë gjë shqiptarët muslimanë e dinë vite me radhë. Për më tepër, viteve të fundit gjithnjë e më shumë po arrijnë të mësojnë fakte të cilat vënë paralele mes elementeve të artikullit tuaj dhe elementeve tjera që kanë të bëjnë me çështjet shqiptare dhe ato islame.
Zotëria juaj, daullen që sot në këtë artikull e keni përdorur, është e dëmshme për veshët e shqiptarëve me ritmin që s’ka dhe porosinë që s’përcjell. Elementet që trajtohen në analiza duhet bazuar në një paralele e cila i ndërlidhë të gjitha për të përcjellë një porosi e cila është e frytshme për lexuesit. Shqiptarët të cilët përmes artikujve të ndryshëm po fyejnë shqiptarët muslimanë janë vetëm laraman të cilët përmes laramanisë së tyre tentojnë që të poshtërojnë 90% të identitetit të tyre. Ju duhet pasur kujdes mundin që merrni për të përpiluar një artikull të tillë të e ndriçoni duke sjellë porosi që u ndihmojnë shqiptarëve ose fundja shqiptarëve muslimanë për të kuptuar të vërtetën e shtjelluar mbi fakte.